GREQI -Nisja e hetimit të marrëveshjes së ujërave detare Shqipëri-Greqi ka shqetësuar së tepërmi shtetin fqinj. E përditshmja greke, “Kathimerini” ka cituar burime diplomatike në Athinë të cilët mësohen të kenë thënë se ‘fillimi i hetimit është një pengesë e madhe për të ecur përpara me marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi, për shkak se marrëdhëniet mes dy shteteve po bëhen gjithnjë e më të tendosura.’
Kështu, shpresat e grekëve për një zonë ekskluzive ekonomike (EEZ) me shtetin shqiptar kanë pësuar goditje pas nisjes së një hetimi nga zyra e prokurorit në Tiranë, çka i ka dhënë një tjetër goditje marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
“Kathimerini” përmend edhe Lulzim Bashën, asokohe ministër i Jashtëm dhe lideri aktual i Partisë Demokratike, si personi që ka nënshkruar marrëveshjen pesë vite më parë.
Por, në muajin maj, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm për të hetuar paktin e 2009-ës, me pretendimin se kishte dëshmi që zyrtarët shqiptarë kishin shkelur ligjin.
Burimet e gazetës greke sqarojnë se periudha prej dy muajsh ka shërbyer për Prokurorinë për të mbledhur prova nga ku është arritur në përfundimin se ka patur shkelje të ligjit gjatë hartimit të paktit nga grupi negociator shqiptar.
Ky reagim nga mediat greke vjen 3 ditë pas regjistrimit të procedimit penal dhe nisjen e hetimeve për firmëtarët e paktit detar të nënshkruar pesë vite më parë.
Ещё видео!