Kosovë- Në zgjedhjet e parakohshme të zhvilluara dje, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë numrin më të madhe të votave në Kosovë. Deri më tani janë numëruar mbi 95% e kutive dhe Albin Kurti ka marrë 25.81% të votave. (shiko këtu) Pas tij vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,07%, të votave. E treta në garë rendit PDK-ja me 21, 17% të votave.
Në një deklaratë për mediet, pas rezultatit në favor të tij, kreu i LVV, Albin Kurti shpalli fitoren dhe u shpreh se ai dhe partia e tij janë të gatshëm që të ftojnë LDK, Vjosa Osmanin, për një koalicion paszgjedhor për krijimin e qeverisë së re.
“Sigurisht se ne gjithmonë i kemi konsideruar LDK-në si partnerë në opozitë. Kemi bërë hapa të bashkërenduar. Fatkeqësisht nuk arritëm ta shndërrojmë në projekt të përbashkët si deshëm. Së bashku do t’i kemi 60 deputetë. Unë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës preferoj një qeveri stabile dhe patjetër e shoh si partnerë LDK-në. Nesër do ta ftoj LDK-në për të krijuar koalicionin.”– tha Kurti.
Kurti pasi shpalli fitoren dhe foli si kryeministër para mediave, iu bashkua festës së simpatizantëve të VV-së në sheshin kryesor të qyteti të Prishtinës. Ai përgëzoi kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani për fushatën që ka bërë, dhe shtoi se ajo dha një model për shumë gra dhe vajza shqiptar. Ndërkohë Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deklaroi se pas 12 vitesh partia e tij do të kalonte në opozitë duke pranuar kështu humbjen e zgjedhjeve.
Për këtë rezultat, kryeministri Edi Rama ka shprehur urimet e tij për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Nuk ka munguar edhe një reagim i Aleksandër Vuçiçit, i cili është shprehur se fitorja e Kurtit nuk e gëzon aspak.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u zhvilluan pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit u thirr për të dëshmuar në Gjykatën Speciale. Me pretendimin se nuk donte të shkonte si zyrtar, Haradinaj dha dorëheqjen e tij duke ripërsëritur se do të kandidonte sërish nën siglën e AAK-së.
Ещё видео!