Më dt. 25 prill, në orën 14, në mjediset e Universitetit "Vitrina" u organizua një orë e hapur me temë "Planifikimi i shërbimeve publike". I ftuar ishte z. Edlir Vokopola, inxhinier gjeolog, mik i mjedisit, i cili ka dhënë kontributin e tij në çështjet e planifikimin urban dhe është këshilltar personal i ministrit të turizmit, Aldo Bumçi. I ftuar ishte edhe prof. asc. Sazan Guri. Në fjalën e tij z. Vokopola tha se shërbimi publik na lidh me qeverinë dhe përcakton nivelin e jetesës së një popullsie. Pra, nuk mjaftojnë të ardhurat për të matur cilësinë e jetës, por duhen domosdoshmërisht edhe shërbimet publike. Ato përfshijnë shëndetësinë, arsimin, ujin e pijshëm, përpunimin e ujërave të ndotura, të mbetjeve urbane, mbrojtjen e mjedisit, rendin publik etj. Në planifikimin urban dhe të shërbimeve publike sot marrin pjesë ekspertë të fushave të ndryshme. Shërbimet publike mund të ofrohen drejtpërdrejt nga shteti ose nga privatët, të kontrolluar nga shteti. Pra, shteti ndërhyn në çdo rast për të rregulluar tarifat, cilësinë apo sasinë e shërbimeve publike. Arsyet e kësaj janë politike, ekonomike dhe sociale. Një prej shërbimeve esenciale publike është furnizimi me ujë i popullsisë. Uji është një e mirë e domosdoshme dhe kërkon një vëmendje të veçantë nga ana e shtetit dhe e gjithë shoqërisë. Shërbimet publike në përgjithësi ofrohen kundrejt tarifës, por shpesh lind problemi i mospagesës nga ana e një pjese të popullsisë. Në Shqipëri pagesa e tarifës së ujit është në nivele shumë të ulëta, në krahasim me vendet e tjera evropiane. Në Tiranë, për shembull, vetëm 75% e përdoruesve paguajnë për ujin dhe vetëm 30% e ujit të dërguar nga ujësjellësi arrin në destinacion. Pjesa tjetër humbet për shkak të amortizimit të rrjetit. Kjo e bën edhe më të vështirë menaxhimin e burimeve ujore dhe ul cilësinë e dhe sasinë e këtij shërbimi të ofruar popullatës. Në përmbyllje z. Vokopola vuri në dukje nevojën për ndërhyrje nga ana e shtetit në bazë të një planifikimi afatgjatë, pasi masat e marra pa një plan të studiuar mirë, do të ishin jofrytëdhënëse. Së fundi z. Sazan Guri, gjeolog dhe ambientalist, theksoi domosdoshmërinë e pagesës së tarifës për ujin nga ana e qytetarëve, duke ndjekur shembullin e vendeve më të zhvilluara, pasi rritja e cilësisë së shërbimeve rezulton në rritjen e nivelit të jetesës për të gjithë. Minutat e fundit të takimit iu rezervuan prezantimit të një plani për rregullimin e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës dhe zonave përreth me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe ofrimin e shërbimeve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese. Studentët dhe profesorët e pranishëm morën pjesë aktivisht në konferencë me ndërhyrjet dhe pyetjet e tyre.
Ещё видео!