Një sërë parregullsish janë verifikuar në procesin zgjedhor në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Përveç se kanë votuar shtetas serbë, komisionerët kanë patur vështirësi në verifikimin e dokumenteve.
Janë evidentuar disa parregullsi, të cilat e kanë karakterizuar procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Vëzhguesit kanë vërejtur se gjatë procesit të votimit janë lejuar disa qytetarë serb që të votojnë me dokumentacion të Serbisë.
Eugen Cakolli, Demokracia në Veprim: Është identifikimi i votuesve dhe votimi me dokumente të Serbisë që si proces është lejuar në disa raste nga ana e komisionerëve.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media ka thënë se si komision u kanë dhënë instruksione komisionerëve dhe do të veprohet sipas ligjit.
Valdete Daka, kryetare e KQZ-së: Disa komisionerë nuk e kanë pasur të qartë se me cilat dokumente lejohet të votohet. Gjithsesi nga KQZ-ja janë njoftuar dhe zyrtarisht kanë marrë instruksione se dokumente validet në Kosove janë dokumentet e Kosovës.
Ndërsa në qendrën më të madhe të votimit në Mitrovicën e Veriut ishte vendosur flamuri i shtetit serb.
Eugen Cakolli, Demokracia në Veprim: Në shumicën e rasteve, flamuri i shtetit serb është prezent, mirëpo nuk është evidentuar asnjë rast që ky flamur apo simbole të tjera kanë penguar qytetarët të komuniteti shqiptar apo komuniteteve të tjera që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Tre kandidatët që kanë garuar për zgjedhjet në Mitrovicën e veriut nga Lista serbe, PDK-dhe LVV-ja kanë votuar qysh në orët e hershme të mëngjesit. Ndërsa nënkryetari i Listës Serbe ka shprehur bindjen se partia e tij do të triumfojë edhe në këto zgjedhje.
Igor Simiç, nënkryetar i Listës Serbe: Jam thellësisht i bindur dhe të gjithë anëtarët e listës serbe se katër kandidatët e tanë do të arrijnë fitore të bindshme, jo për faktin se jam unë pjesë e listës serbe por e di që kjo është mënyra e vetme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë në këto hapësira.
Ndërsa ministrja e Administrimit të Pushtetit lokal ka shprehur bindjes se transparenca në procese zgjedhore po rritet. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore janë rezultat i dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave, të cilët i përkisnin Listës Serbe pas taksës së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe./ABC News Albania 24/7
Ещё видео!