Pezullohen punimet e nisura nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja që është një prej tre loteve të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton është në pritje të sqarimit autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura nga kompania në procedurën e garës.
Stop punimeve në një prej loteve të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës. Nuk janë protestat e banorëve që e kanë detyruar Autoritetin Rrugor Shqiptar të marrë këtë vendim, por pikëpyetjet që janë ngritur mbi ligjshmërinë e kompanisë fituese të segmentit nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura operatori ekonomik “DH Albania shpk”, degë e shoqërisë së huaj, e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak.
Madje e gjithë procedura e tenderit ka rezultuar e ligjshme sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar. Investigimet në media e kanë detyruar t’i rikthehen fituesëve të shpallur. Bëhet fjalë për bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj. Kjo e fundit dyshohet se ka dorëzuar pranë QKB-së bilance e pasqyra financiare fallso, të viteve 2015, 2016 dhe 2017, ndërkohë që është themeluar në Qershor të vitit 2018.
Sqarimin e kësaj situate Autoritetit rrugor shqiptar e pret nga autoritetet amerikane.
Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek Mbikalimi i Sheshit Shqiponja.
Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do të ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin.
Procedura e tenderimit është denoncuar më herët edhe nga Partia Demokratike, sipas të cilës, e gjithë gara është korruptive dhe për këtë publikoi edhe dokumenta se kompania Biba X ka qenë nën sekuestro për çështje borxhesh në momentin që ka marrë pjesë në garë, ndërsa për partnerin amerikan tha se është kompani offshore, me pronarë të panjohur.
Përgjigja që mori nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ishte se kompania Biba X është në rregull me ligjin ndërsa kompania Dunwell Haberman ofron një gamë gjithëpërfshirëse të shërbimeve inxhinierike dhe teknike në botë dhe ka një staf prej mbi 3500 punonjës. Sot i duhet ta rishikojë përzgjedhjen e fituesëve që kanë nisur zbatimin e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës./abcnews.al
Ещё видео!