Me betimin para presidentit të Republikës, nis punën sot Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur me akronimin SPAK.
8 prokurorët e parë të kësaj strukturë, që do të hetojë dosjet e zyrtarëve të lartë u betuan para kreut të shtetit. Ngritja e këtij organi u përshëndet ambasada e SHBA-së e BE-së dhe po ashtu nga Partia Demokratike.
Struktura e shumëpritur e prokurorisë, ajo që do të hetojë korrupsionin në nivele zyrtarësh dhe do të luftojë krimin e organizuar, zyrtarisht nisi punën.
Mëngjesin e kësaj të enjteje Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë u betuan para Presidentit Meta, me fjalët:
“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”.
Struktura e SPAK, neni 135 i Kushtetutës parashikon që do të hetojë akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrat, kryetarët e bashkive, deputetët, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhëe të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë.
Kësaj strukture nuk i shpëtojnë as ish-zyrtarët.
Nisja e funksionimit të Prokurorisë së posaçme anti-korrupsion menjëherë pas betimit në Presidencë të 8 prokurorëve u përshëndet nga selia diplomatike e SHBA-së. Në reagimin e saj ambasada thekson se nisur nga sot Shqipëria ka një organ që do të hetojë të paprekshmit.
“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”.
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ishte i pranishëm në ceremoninë e betimit. Përmes Twitter ai u shpreh ngritja e SPAK është një hap para në zbatimin e reformës në drejtësi.
“Mirëpresim betimin e bërë sot të 8 prokurorëve të SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet kryesor për Shqipërinë në rrugën e pranimit në BE”
Partia Demokratike përshëndet fillimin e punës së SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture. Fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.
Ndërsa partia Demokratike reagoi duke nënvizuar faktin se ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre, në të shkuarën.
“Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar. Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë”
Ndërkohë të mërkurën, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë 3 prej prokurorëve të SPAK u dëgjuan si pretendent për të marrë postin e kreut të këtij organi. Ata janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili./abcnews.al
Ещё видео!