Për afro tre orë, opozita protestoi përpara parlamentit. Edhe këtë herë nuk munguan përplasjet me policinë.
E para nisi përpara Ministrisë së Brendshme ku protestuesit tentuan të hynin brenda rrethimit të pedonales, teksa pritej mbërritja e Ministrit Lleshaj dhe atij të Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës, Ferdinand Graperhaus.
E dyta përpara parlamentit, ku protestuesit hodhën kapsolla e sende të forta në drejtim të policisë dhe tentuan disa herë të çanin kordonin e policisë.
Përpara protestuesve, Lulzim Basha paralajmëroi Kryeministrin Rama se nuk ka kthim pas nga beteja e nisur me qytetarët.
Më pas, protestuesit të kryesuar nga vetë Basha u shpërngulën përpara Ministrisë se Brendshme, ku kërkuan lirimin e të arrestuarve gjatë protestave të mëparshme dhe hodhën bojë të zezë në muret e saj.
Mbylljen e protestës, Lulzim Basha e bëri nga selia blu, ku prerazi tha se nuk do të ketë pakt e as zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.
I rrethuar nga ish-ministra e ish-zyrtarë të Partisë Demokratike, para simpatizantëve kërkoi edhe falje për qeverisjen e demokratëve, për ata që tha që u pasuruan gjatë kësaj kohe.
Dhe në mbyllje, sikundër është kthyer në traditë pas çdo proteste, himni kombëtar, nën zërin e një tenori.
Tv Klan
Ещё видео!