Familjes së Naim Myftarit në Sauk, të cilës iu shkatërrua shtëpia nga tërmeti i 21 shtatorit, iu dorëzuan sot çelësat nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se shtëpitë do të jenë ashtu siç nuk i kanë parë as në ëndërr, ndërsa theksoi se po punohet për rindërtimin e të gjithë shtëpive private të prekura nga tërmeti brenda vitit. Rama gjithashtu garantoi se shumë shpejt do të nisë procesi për dhënien e apartamenteve të reja.
“Të gjithëve kështu do i bëhen, një për një. Një për një të gjithëve dhe këta që janë në fshat, janë ata që janë më keq, sepse ata rrinë në çadër sot. Nuk e lënë dot tokën aty dhe janë në çadra. Atyre të parëve do t’u bëjmë shtëpi dhe ata do hyjnë të gjithë në shtëpi brenda vitit, ose do jenë duke parë shtëpinë duke mbaruar brenda vitit. Pastaj avash avash të tjerët, se këto të qytetit duan themele, duhen bërë projekte të mëdha se janë apartamente. Por atyre, si këtu, do t’i kenë shtëpitë siç as në ëndërr nuk i kanë parë”, tha Rama.
Ndërkohë kryebashkaiku Veliaj vlerësoi fondin e siguruar në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë si një ndihmë tepër e madhe në projektin e rindërtimit.
“Lajmi i mirë që na erdhi nga kryeministri, është që kjo e rindërtimit do jetë punë akoma më e madhe”, tha ai. Gjatë bashkëbisedimit, Veliaj u shpreh se Bashkia po rehabiliton të gjithë zonën e Saukut, ndërsa theksoi se ata që kritikojnë, janë vetëm ata që nuk bënë asnjë punë gjatë kohës që ishin në krye të punëve. “Jemi në një fazë që po rehabilitojmë edhe gjithë lagjen, pra deri ku ndaluat ju ka ardhur asfalti pastaj gjithë rrugët duhen shtruar me çakull se janë dhe një zonë kryesisht informale. Ka filluar tani urbanizimi i kësaj pjese. Kemi mbaruar me Saukun e Vjetër që është mbi rrugën e Elbasanit dhe jemi futur këtu. Në Kodër Kamzë hapëm një super kopsht/çerdhe dhe 150 familje që kthehen në punë, se më parë rrinin me kalamajtë. Ka qenë betejë që në kohën tënde, për të liruar Kodër-Kamzën nga zaptimi”, tha Veliaj. /abcnews.al
Ещё видео!