Zall-Bastari tashmë është me rrugë të re! Pasi inspektoi përfundimin e punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se rruga e re dhe rruga e Arbrit, që po ndërtohet nga qeveria, krijojnë një perspektivë të re per Zall-Bastarin.
Banorët e kësaj njësie tani mund t’i sjellin më shpejt produktet e tyre të zonës në tregjet e kryeqytetit. Por, një transformim të thellë ka pësuar edhe e qendra administrative.“E kisha me shumë kënaqësi që festimet për 100 vjetorin e Tiranës Kryeqytet t’i fillonim nga Zall-Bastari, këtu ku kemi bërë edhe punë, e cila i ka rritur vlerën pronës dhe sot nga Pazari i Ri deri pazarin e Zall-Bastarit vjen për 25 minuta. Falë punës që po bën qeveria me rrugën e Arbrit dhe falë lotit të dytë, i cili na lidh me rrugën e Arbrit në Zall-Dajt, më vjen mirë që do takohemi sërish këtu në verë, për ta bërë ardhjen deri në Zall-Bastar si të jetë një ndër lagjet e tjera të Tiranës”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se falë këtij investimi, nga sot Zall-Bastari është një pjesë e urbanizuar e Tiranës së madhe, duke lënë pas pamjen e vjetër ku infrastruktura ishte e përshtatshme vetëm për sportet ekstreme. “Mezi pres që, tani që nuk kemi më justifikimin e rrugës, jo vetëm t’i kthehemi më fort punës, bujqësisë, agro-turizmit, por bashkë me deputetin dhe administratorin, t’i kthehemi më fort komunikimit në Tiranë, pse njerëzit duhet të vijnë këtu për një fundjavë. Me llucën deri në fyt, ky ishte një vend ideal vetëm për gara të sporteve ekstreme, por më vjen mirë që më në fund ata të garave ekstreme do të duhet të gjejnë një rrugë tjetër të largët, se Zall-Bastari sot është pjesë e urbanizuar e Tiranës së madhe”, tha kryebashkiaku.
Duke falenderuar banorët për bashkëpunimin e treguar në ndërtimin e rrugës dhe të qendrës së njësisë, Veliaj deklaroi se ky është treguesi më i mirë se aty ku nuk vendosen pengesa artificiale, puna ecën me shpejtësi dhe përfitues është i gjithë komuniteti.
“Pa bashkëpunim nuk bëhet asgjë. Ju e keni parë, aty ku s’ka bashkëpunim projektet vonohen. Astiri filloi një vit e gjysmë me vonesë sepse s’kishte bashkëpunim, kishte një grup, një parti, që gjithmonë thotë: blloko, blloko, blloko! Këtu ku s’pati bllokime, as nga kundërshtarët tanë, puna eci për bukuri. Dua të falenderoj jo vetëm shumicën dërrmuese që voton ne, por edhe miqtë tanë të djathtë për bashkëpunimin, sepse në këtë rrugë kalojnë edhe fëmijët e tyre. Aty ku të djathtët kanë mend, si në Zall-Bastar, nuk bllokojnë, nuk pengojnë, nuk vënë stërkëmbësha”, tha Veliaj.
Pas përfundimit të këtij investimi, Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe me rrugët e tjera në fshatrat e zonës.
“Pas kësaj do të vazhdojmë edhe degëzimet e tjera, në fshatrat e tjerë, do të duhet të vazhdojmë edhe me riparime shkollash, kopshtesh, çerdhesh, do të duhet të bëjmë më shumë promovim për Zall-Bastarin, që të vijnë sa më shumë njerëz, të kemi sa më shumë aktivitete”, u shpreh ai.
Veliaj theksoi se ky 100-vjetor është edhe një moment për të projektuar Tiranën e së ardhmes. “Ka ardhur koha të reflektojmë pak: Në këto 100 vite, a kemi punuar siç duhet? Kemi menduar për fëmijët apo për partitë? Kemi menduar më shumë për sherre apo për punë konkrete? Kemi menduar si ta inkurajojmë njëri-tjetrin apo si t’i vëmë stërkëmbësha? Në fakt, përgjigja është, edhe kështu, edhe ashtu. Ka pasur kohë kur i jemi përveshur punës dhe kemi bërë kryevepra, siç është transformimi i Zall-Bastarit; ka pasur kohë kur kemi humbur mundësi të çmuara. Zihemi e theremi për një rrugë në Tiranë, zihemi e theremi për Teatrin në Tiranë, për këndin e lodrave, për Pazarin e Ri, për Bulevardin e Ri, u vëmë gjoba, pengesa, stërkëmbësha njëri-tjetrit, a thua se do jetojmë 1000 vjet dhe 100 vjet i kemi për t’i harxhuar kot dhe 900 të tjera për të bërë ndonjë punë”, shtoi ai.
Kreu i Bashkisë shprehu besimin se 100 vitet e ardhshme të Tiranës do të jenë vetëm histori suksesi dhe pune. Ai bëri thirrje për bashkëpunim në mënyrë që Tirana të jetë histori suksesi e një kryeqyteti europian.
“Nëse duam që 100 vitet e ardhshme të Tiranës të jenë vetëm histori suksesi dhe pune, të një Tirane që ecën përpara, duhet të jemi motra e vëllezër që bashkëpunojmë për Tiranën tonë. Përtej partive është Tirona, përtej ndasive është Tirona, përtej ndryshimeve dhe diferencave, është Tirona. Duhet përtej së majtës, përtej së djathtës, socialistë, demokratë, të fshatit dhe të qytetit, të bashkëpunojmë që Tirana të jetë histori suksesi dhe një kryeqytet realisht europian nga sheshi “Skënderbej” deri këtu në sheshin e Zall-Bastarit”, beri thirrje kryebashkiaku.
Duke u ndalur te projekti për sistemimin e familjeve të prekura nga tërmeti, Veliaj sqaroi se grupimi i familjeve në lagjet e reja ku janë edhe shërbimet publike pranë, është zgjidhja më e mirë. Rruga e re është me dy kalime, duke afruar banorët dhe produktet bujqësore e blektorale të zonës me tregjet e Tiranës. Pjesë e rëndësishme e investimit kanë qenë edhe ndërtimi i disa urave, në pjesë të ndryshme të rrugës, si dhe ndërtimi i bankinave.
Ещё видео!