Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka organizuar sot një tryezë për respektimin e të drejtave të minoriteteve, ku janë bërë bashkë aktorë politikë e socialë. Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule deklaroi se respektimi i minoriteteve mbetet sfidë e pa përmbushur duke folur për problematika disa vjeçare.
“Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve është ‘litmus test’ është si letra e lakmuesit për lirinë dhe shtetin e së drejtës. Mund të kemi një shtet funksional, një parlament të zgjedhur me zgjedhje të lira, por nëse nuk kemi garantuar respektimin e të drejtave të minoriteteve ende do të jemi një sistem hibrid i cili nuk ka arritur atë që është thelbësore, barazinë.
Garantimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të minoriteteve në hapësirën e Europës së sotme garantohet nga konventat. Strumbullari është konventa kuadër e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Ky dokument është ratifikuar nga vendi ynë në vitin 1999. Plot 21 vite.
Ky është dokument kuadër dhe kërkon sanksionimin e aspekteve ligjore që ta bëjë të zbatueshëm. Prej vitesh kjo ka qenë kërkesa jonë.
A mund të ecet ende me standarde të dyfishta? A mund të mendojmë se jemi luajalë ndaj frymës së konventave më frymën qeverisëse? Në asnjë rast nuk mund të ndodhë. Nuk mund të jemi në rolin e strucit modern duke futur kokën në rërë e duke bërë sikur të tjerët nuk e shohin realitetin tonë. Asnjë forcë politike, asnjë institucion. Mediat heshtin. Kur është ndonjë raport tjetër ndërkombëtar për fenomene të tjera politike vrapojnë, kur bëhet fjalë për raporte për shkeljet e të drejtave të minoriteteve, heshtin”, deklaroi Dule.
Ai tha më tej se nuk mund të ketë integrim pa respektimin e të drejtave të minoriteteve.
“Jemi një vend që aspirojmë të jemi si të barabartë në familjen europiane. A mund të ndodhë kjo pa u europianizuar. Integrimi në BE do të thotë europianizim i vazhdueshëm në çdo fushë të jetës.
Beteja jonë është një betejë komplekse, e vështirë. Ndërlikimi i situatës politike si aktualisht e bën dhe më të vështirë. Ne kemi aleatë kohën dhe durimin tonë. Respektimi i të drejtave të minoriteteve do të bëhet realitet se rrugë tjetër nuk ka”, theksoi kreu i PBDNJ.
Ai paralajmëroi se përpara janë përpjekje shumë të vështira. “Në vitin 2017 me miratimin e ligjit problematik për ne u tha se deri në maj të vitit pasardhës do të ishin plotësuar të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave siç parashikohen në ligj. Ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Shikoni logjikën e cila nuk është e drejtpërdrejt, nuk është e sinqertë dhe as produktive. Pse u premtua maji i 2018 sepse prisnim çeljen e negociatave me BE. Pasi nuk po ndizej drita jeshile u neglizhuan këto aspekte. Nuk është çështje e vullnetit tonë por është diçka pa të cilën nuk bëhet për rrugën evropiane. Një shkallë që pa e ngjitur nuk mund të arrijmë në integrim”, u shpreh Dule.
Copyrighted by News24 Albania
Ещё видео!